LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Viti 2013, borxhi publik arrin në 70.4% të PBB, ulet norma e interesit

Viti 2013, borxhi publik arrin në 70.4% të PBB, ulet norma e interesit

Niveli në të cilin ka arritur borxhi publik i Qeverisë, gjatë vitit 2013, vlerësohet të kapë shifrën 883,849 milionë lekë. E thënë ndryshe, ky borxh përbën 65.08% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Këto janë shifrat, të cilat janë bërë të ditura në raportin e Programit Ekonomik dhe Fiskal 2014 – 2016. Por, nëse merren parasysh edhe detyrimet e prapambetura të Qeverisë, stoku i borxhit publik arrin në 70.4% të PBB-së.

Ecuria e borxhit
Krahasuar me vitin 2012, borxhi publik i Qeverisë është rritur me 3.05% në vitin 2013. Stoku i borxhit, në raport me PPB-në e vitit 2012, realisht është rritur me 4.21%. Nga ana tjetër, ka pasur një ulje prej 1.57%, e cila, sipas këtij raporti, ka ardhur si pasojë e rritjes ekonomike të vitit të kaluar. Nevojat e politikave për financimin e deficitit buxhetor, kanë sjellë, gjatë vitit 2013, një rritje prej 2,88% të borxhit të brendshëm.

Për sa i përket borxhit të jashtëm, ai ka qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel. Kjo, si rrjedhojë e pakësimit të disbursimeve gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2013. Për t’iu rikthyer përsëri stokut të borxhit publik për vitin 2013, ai vlerësohet të jetë 70.4% e PBB-së, nëse do të merren parasysh edhe detyrimet e prapambetura, të cilat kapin shumën 72.6 miliardë lekë.

Huamarrja
Për vitin 2013, sipas raportit të programit Ekonomik dhe Fiskal 2012 – 2014, huamarrja e brendshme për vitin 2013 u realizua në nivelin e 46.2 miliardë lekë. Për sa i përket kësaj huamarrje, në raport theksohet se financimi ishte tërësisht me instrumenta afatgjatë. Në bazë të vlerësimeve më të fundit, 109.9% e financimit është kryer me instrumenta afatgjatë duke maturuar edhe instrumentat afatshkurtër në shumën prej 4.6 miliardë lekë.

Në raport, argumentohet se ky financim ka mundësuar përmirësimin e ndjeshëm të treguesve të borxhit të brendshëm si edhe të përmirësojë profilin e maturimeve. Ajo që veçohet si pozitive për vitin 2013 është fakti se për herë të parë është realizuar me sukses emetimi i obligacioneve 10-vjeçare (në shumën 8.2 miliardë lekë) dhe 2-vjeçare në euro.

Kosto
Kostoja e borxhit është ulur dhe niveli i interesit mesatar ka arritur 6,72% në fund të vitit 2013 duke u ulur me 110 pikë bazë krahasuar me një vit më parë. Kjo për arsye se gjatë 6-mujorit të dytë të vitit të kaluar janë ulur ndjeshëm normat e interesit si rezultat i likuiditetit të tepërt në sektorin bankar, ngurtësimit të kredive ndaj sektorit privat dhe për shkak të uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
Hetuesit kërkojnë nxjerrjen jashtë ligjit të “Agimit të Artë”
Close