Home . Aktualitet . Vota pro Ruçit, “cunam” në PD, Berisha merr në dorë “timonin”

Vota pro Ruçit, “cunam” në PD, Berisha merr në dorë “timonin”

Rrjedhja e votave gjatë votimit të Ruçit shkakton furtunë në “kampin blu”. Berisha kritikon Bashës dhe të rinjtë e grupi: Mos flisni pa u konsultuar me grupin. Demokratët vendosin rregull: Kush shet votën s’ka vend në grupin parlamentar të PD-së

Rrjedhja e të paktën dy votave nga grupi parlamentar i PD-së, në votimin e Garmoz Ruçit si kryeparlamentar ka sjellë përplasje të mëdha mes ish-kryetarit Sali Berisha dhe kreut aktual Lulzim Basha. Ish kryeministri Sali Berisha është rikthyer me tone të ashpra në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, duke e cilësuar të turpshme rrjedhjen e votave. “Kam dalë me kokën ulur.

Jam ndjerë i fyer dhe i lënduar”, mësohet të jetë shprehur Berisha para deputetëve demokratë. Basha nuk ka mbajtur qëndrim të prerë për këtë situatë, ndërsa është shprehur se është i paqartë nëse kishte manipulim apo blerje të votës për Ruçin. Por dhe Basha nga ana e tij ka dënuar atë që ndodhi dy netë më parë në Kuvend, duke paralajmëruar dhe penalitet të ashpër për këdo që shet votën. “Kushdo që do të shes votën nuk do të ketë vend në grupin parlamentar të PD-së”.

Debatet 

Por pavarësisht qëndrimeve, ish-kryeministri ka qenë mjaft i ashpër, duke u fokusuar vetëm tek  shitja e votës, madje ai e ka cilësuar thikë pas shpine, ndërsa thotë se nuk duhet të ketë falje për atë që e kanë bërë këtë akt.  Berisha nuk është edhe aq dakord që 2 votat e opozitës te gjenden tek komisioni i ngritur për zgjedhjen e Ruçit,  ndërsa thekson se Partia Demokratike nuk mund të sajojë pretekst që t’i hedh hi syve, shqiptarëve.  Berisha është i bindur se brenda grupit ka tradhti.

Në një replikë të ashpër me deputetin Ervin Salianji, të cilin e ka kritikuar për mbajtjen e qëndrimeve jashtë vendimeve të grupit, ka theksuar se manipulimi i komisionit nuk ka ndodhur në 27 vjet, ndërsa shitblerja e deputetëve është shprehur ai ka ndodhur në më shumë se 50 raste. Sali Berisha ka kritikuar edhe zëdhënësen e grupit parlamentar Grida Duma, të cilës i ka kërkuar  që të mos mbajë qëndrime në emër të grupit, pa u vendosur në grup.

Mësohet se dhe aleati, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka kritikuar Bashën, duke theksuar se është përgjegjësi e tij  ajo që ka ndodhur në Kuvend ndërsa i ka kërkuar që  të gjendet kush e ka bërë. Shehi e ka akuzuar Bashën edhe se ka nxjerrë njerëz në rrjetet sociale që të akuzojnë  aleatët për shitjen e votave.

Paralajmërimi

Pas mbledhje së zhvilluar dje demokratët morën vendim që deputeti që shet votën do të përjashtohet nga grupi parlamentar i PD-së. Përmes një deklarate, demokratët dënojnë me ashpërsi atë çfarë ndodhi dy ditë me votën e opozitës në Kuvend. “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me ashpërsi atë çfarë ndodhi me votën e opozitës në Kuvend. Erdhi si rezultat i manipulimit apo blerjes së votës, kjo do të shqyrtohet me prioritet absolut. Një gjë është e qartë pa asnjë ekuivok: kush shet votën nuk do të ketë vend në grupin tonë parlamentar.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson se ky skenar i qëllimshëm u vu në veprim për të hequr vëmendjen e opinionit nga emërimi prej Edi Ramës në krye të Kuvendit i Gramoz Ruçit, simbol i të kaluarës së përgjakur të diktaturës komuniste dhe i lidhjeve kriminale dhe trafiqeve të drogës, për të cilën arsye është përjashtuar përherë nga hyrja në SHBA”, thuhet në deklaratë. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat Basha dhe Berisha dënuan rrjedhjen e votave.

Ervin Salianji mohon debatet me ish-kryeministrin Berisha

Sekretari për aksionin qytetar dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, mohoi që gjatë mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike ditën e djeshme të ketë pasur debate me ish-kryeministrin Berisha, por tha se secili anëtar i grupit parlamentar dha mendimin e tij në lidhje me situatën. “Diskutimet nuk janë të vërteta, por secili nga deputetët ka pasur mendimin personal.

Sot ka pasur një qëndrim të të gjithë grupit parlamentar të PD-së. Sot (dje) u mbajtën qëndrimet e plota. PD dënon me ashpërsi atë që ndodhi në Kuvend. Erdhi prej manipulimit apo blerjes së votës kjo mbetet për t’u parë. Kush shet votën nuk do të ketë vend në grupin parlamentar të PD. Nëse dikush ka tradhtuar shpirtin e vet, PD do e shohë me prioritet absolut duke marrë masa. Unë mbajta qëndrimin tim direkt dje për manipulim, por qëndrimi i PD-së sot është më i detajuar duke shtuar dhe mundësinë se mund të jetë blerë vota”, u shpreh ai.

Duke folur në lidhje me zgjedhjen e Gramoz Ruçit, kryetar parlamenti, dhe debatet që shkaktoi brenda PD-së rrjedhja e votave, Salianji tha se demokratët ishin në dy linja për rrjedhjen e votave, atë të manipulimit apo blerjes së votës. “Në mbledhjen e grupit parlamentar pati shprehje e pakënaqësisë për votimin e djeshëm. Ka pasur dy mbledhje, në të cilën u diskutua për qëndrimet e PD në seancën e nesërme parlamentare. Shqetësimi i anëtarëve të grupit parlamentar të PD është manipulimi apo blerja e votës,” tha Salianji. Ai shtoi se kjo ishte një lojë e pisët e kryeministrit Edi Rama, që kërkon të shmangë vëmendjen nga zgjedhja e Ruçit kryetar Kuvendi.

Aleati kritika ndaj Bashës

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, që njëkohësisht është dhe aleat i kryetarit të PD-së Lulzim Basha, duke komentuar në rrjetet sociale debatin e ngritur kohët e fundit për zgjedhjet e Gramoz Ruçit si kryetar të Kuvendit, thotë se ai ka qenë në Parlament në krah të PD-së këto 27 vjet. Roshi thotë se Partia Demokratike duhet të heqë dorë nga gjurmët dhe të merret me ujkun, në mënyrë figurative, duke iu referuar këtu antikomunizmit.

Shkruan: Isuf Kurtaj

Mos Humbisni:
Rama uron “mirëmëngjesi” dhe jep një lajm të mirë për Shqipërinë

Close