LAJMI I FUNDIT
Home . Kryesore . Vrasja e Karelit në burg, shefi i rojeve të Nigritas: Ishim 10 gardianë që e rrahëm dhe e torturuam

Vrasja e Karelit në burg, shefi i rojeve të Nigritas: Ishim 10 gardianë që e rrahëm dhe e torturuam

Gjatë hetimit të vdekjes së Ilia Karelit nga Kontrolli i Brendshëm i Policisë, janë dhënë dëshmi dhe fakte që hedhin shumë dritë mbi të vërtetën për dhunën e ushtruar mbi shqiptarin.

Sipas një dëshmie, shefi i rojeve të brendshme të burgut, Hari Konsolidis, që tashmë ndodhet i shtruar në psikiatrinë e Serresit, ka pranuar para kolegëve të tij në polici, se e ka rrahur dhe torturuar shqiptarin brenda në burgun e Nigritas. Ai ka pranuar se në torturë ishin edhe 9 roje të tjera, 7 nga të cilët e mohuan pjesëmarrjen, ndërsa 2 e pranuan fajin e tyre. Kur shefi i rojeve të brendshme Konsolidis mësoi se do arrestohej tentoi të vetëvritej, por u shpëtua nga kolegët. Mësohet se i ka telefonuar gruas dhe i ka kërkuar falje, më pas ka tentuar vetëvrasjen. Aktualisht ndodhet i paraburgosur në klinikën psikiatrike të spitalit të Serresit për trajtim.

Nga ana tjetër policët e rajonit të Iteas deklaruan se “në asnjë rast nuk u prek Ilia Kareli gjatë qëndrimit të tij në mjediset e policisë”. Sipas zyrtarëve të kësaj policie, “kur Kareli hyri në rajon, kishte shenja të dukshme në duar dhe kokë. Ai ishte i heshtur dhe i kërkoi vetëm pak ujë. Oficeri që e mori në dorëzim ka regjistruar të gjitha goditjet dhe ka bërë një raport”, thonë zyrtarët e policisë së Iteas për shtypin grek.

Sot pritet të kryhen arrestimet e gjithë gardianëve të burgut të Nigritas në Serres, kundër të cilëve është lëshuar urdhër arresti për torturimin deri në vdekje të të burgosurit shqiptar Ilia Kareli.

Policia greke i la të lirë 3 gardianët e burgut të Nigritas, të cilët u ndaluan dje lidhur me vdekjen nga dhuna të shqiptarit Ilia Kareli. Sipas policisë, duhet më tepër kohë të përfundojnë procedurat për çështjen, dhe për këtë arsye nuk mund të ekzekutojnë urdhër arrestet. Dosja i ka kaluar prokurorisë dhe pritet një urdhër i dytë.

Ndaj zyrtarëve të burgut rendon akuza për rrahje dhe torturë me pasojë vdekjen, plagosje të rëndë dhe dëmtime të rënda të qëllimshme.

Prokuroria e Amfisas, pasi shqyrtoi dosjen e përgatitur nga shërbimi i kontrollit të brendshëm të Policisë Greke, ia kaloi çështjen prokurorisë së Serresit. Në raportin e prokurorisë vihet në dukje se në bazë të hetimeve, vendi dhe koha e kryerjes së goditjeve vdekjeprurëse, përkon me qëndrimin e të dënuarit brenda territorit të Serresit, gjë që shkarkon nga përgjegjësia për torturimin që shkaktoi vdekjen, nga gardianët e burgut Malandrino dhe policët e rajonit të Iteas.

Konsulli shqiptar në Selanik kontakton me autoritetet hetimore
Përfaqësuesi i qeverisë shqiptarë, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik Riza Poda vijon kontaktet me autoritetet hetimore për cështjen e vdekjes së shqiptarit Ilia Kareli. Poda ka kontaktur me prokurorin e Serresit si dhe drejtorin e Kontrollit të Brendshëm të policisë, që zhvilloi hetimet. Sipas konsullit Poda, autoritetet greke kanë siguruar se hetimet vijojnë me intensitet për nxjerrjen e përgjegjësve do të ketë arrestime dhe ndëshkime për vdekjen e dhunshme të shqiptarit.

Ministria greke e Drejtësisë: Përgjegjësit do ndëshkohen
Ministria e Drejtësisë në një deklaratë e cilëson akt mizor, çnjerëzor dhe monstruoz të zyrtarëve të shtetit, të cilët kanë shkelur konceptin e sundimit të ligjit dhe detyrën për të mbrojtur jetën e njeriut. “Sjellje të tilla që dalin nga vitet më të errëta të histories, do të marrin përgjigjen e tyre nga shteti dhe Drejtësia greke. Ligji do të zbatohet në mënyrë shembullore mbi çdo person tjetër përgjegjës”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Ministrisë Marino.

Loading...
More in Kryesore, Rajoni
“Albanian Policy Center”, Moore: SHBA s’mban anë, jemi krahë jush për integrimin në BE

Close