Home . Aktualitet . Blog . Z. Basha, “lidheni” Murrizin tuaj se po na kafshon!

Z. Basha, “lidheni” Murrizin tuaj se po na kafshon!

Nga Andrea Danglli

Do doja që për një moment të bllokoja veshët, të zija sytë dhe të mbyllja gojën për të mos dëgjuar, shikuar apo folur.

Edhe pse e kam kuptuar qartë se vuajtja jonë është e lidhur ngushtësisht me heshtjen, këtë herë mendova se do ishte më mirë të mos i jepja zë revoltës që ziente nga brenda dhe kërkonte me insistim të shprehte zemëratën.

U përpoqa aq shumë por në fund nuk munda ta frenoj dot veten. Protesta e mendimeve u përshkallëzua tamam si një psherëtimë e thellë që të mbushet në gjoks dhe duhet ta shfrysh me doemos.

Nuk arrita t’i kapërdij lehtë bombat e fjalëve që hodhi njëra pas tjetrës një politikan, një deputet i zgjedhur, një njeri që nesër pritet të bëjë në parlament ligjet dhe rrjedhimisht fatet tona.

Myslim Murrizi, njeriu që ende nuk e ka mbushur muajin si i votëbesuar nga populli, për një moment harroi se mban mbi sup këtë përgjegjësi dhe u përfshi në një betejë virtuale me disa personazhe të njohur në media.

Nuk dua të hyj në qëllimet apo prapaskenat e debatit për të justifikuar njërën palë dhe fajësuar palën tjetrën, pasi unë nuk jam as njeriu dhe as institucioni përkatës.

Për pos të gjithave, mua si qytetar i këtij vendi më shqetëson ligjvënësi i zgjedhur dhe normalisht atij do t’i kërkoj llogari deri më një për çdo lëvizje që mund të dëmtojë vendin tim. (me palën tjetër nuk kam punë dhe s’kam të drejtë t’i gjykoj)

‘’Shpërthimet’’ e njëpasnjëshme ishin të rënda, shokuese apo thënë ndryshe pjesë e një çmendurie në nerva e sipër që merr përpara ç’të gjejë.

E gjithë “artileria” e fjalëve fyese, banale dhe rrjedhimisht e padenja, vërshoi në rrjetet sociale njëlloj sikur bëhej fjalë për një të dehur që po i kërkonte llogari shokëve të tij se pse kishte pirë kaq shumë. (Më vjen zor ta përmend atë bllok fjalësh mes rreshtash, pasi nuk do mjaftonin veç dy duar për t’i vendosur mbi kokë)

Fill pas kësaj, media në këtë thatësirë lajmesh i pasqyroi siç qenë pasi këto fjalë edhe pse mund të jenë shprehur në gjendje të dehur, i ka thënë një deputet që nesër do paguhet me taksat e shqiptarëve për të “gatuar” një të ardhme më të mirë për ta.

Normalisht që askush nuk mund të mirëpresë një “rrëshqitje” të kësaj natyre përpara nënës, motrës apo fëmijës së tij, ndaj dhe indinjata do të ishte e gjerë.

Kjo jehonë lajmesh tingëlloi keq në veshët e z. Murrizi i cili u detyruar të kërkojë një ndjesë, e cila në gjykimin tim qe e shtirur, fëmijërore dhe aspak serioze.

Deputeti i zgjedhur për “abetaren” e tij të pisët i kërkon të falur demokratëve dhe jo shqiptarëve, kërkon ndjesë dhe njëkohësisht sulmon, falet por nuk pranon gabimin.

A mund të ma shpjegojë dot dikush këtë trinom të deklaratës së tij?

Mos ndoshta do të ishte më e drejtë që të ndiqej rruga ligjore për të zgjidhur përplasjen dhe të merreshin institucionet?

Mendoni se do të ishte më e logjikshme që z. Murrizi të kërkonte një ndjesë të sinqertë dhe të mos përpiqej të fshihte hënën pas gishtit tregues?

Rruga që ka gjetur për të zgjidhur konfliktet nuk mund të pranohet nga unë dhe nga ti lexues i dashur, përpos ndonjë militanti që i janë errësuar sytë me shpresën për të përfituar ndonjë vend pune.

Deputeti në fjalë, tashmë është hera e dytë që dëshmon vullnetarisht përpara shqiptarëve përmes gjesteve të tij se nuk mund të shërbejë si një shembull për fëmijët tanë të cilët meritojnë më tepër.

Edhe pse përpiqem, nuk mund ta gjej dot tek profili i tij modelin e politikanit që mund të negocionte me partnerë ndërkombëtarë, të udhëhiqte ndonjë institucion shtetëror apo të bënte oponenëcë opozitare brenda kontureve përkatëse.

Më vjen keq që “rrokada” mes emrave të vjetër në PD dhe atyre të rinj, u zgjodh të bëhet në këtë formë, duke mos i dhënë mundësinë të oksigjenohej me figura që përcjellin shpresë, besim dhe forcë.

Kemi vite tashmë që dëgjojmë të demonstrohet në politikë (pa dallim) një fjalor rrugaçëror i kësaj natyre dhe s’mund të heshtim, neglizhojmë apo falim duke lejuar që kjo praktikë të shndërrohet në modë nga politikanë të tjerë.

Vërtet jemi lodhur! Nuk kemi më nevojë për agresorë, gjakprishës apo të fortë që të na i kthejnë Kuvendin në spektakël humori apo në ring boksi. Kemi humbur mjaft kohë prej tyre pasi i vendosëm aty ku nuk duhet të ishin duke lënë jashtë bij dhe bija të denja.

Do ishte e shëndetshme për progresin e vendit nëse “Murrizët” e parlamentit, gjatë vapës përvëluese të zgjidhnin hijet për të shkuar në Kuvend pasi unë nuk do doja që disa “klonet” e tij majtas apo djathtas, të vijojnë të na i lenë Shqipërinë në hije.

Dhe për ta mbyllur do doja të sillja në vëmendje një perifrazim në krye të deklaratës së gjoja ndjesës së Z. Murrizi i cili shkruan: “Kur qentë të kafshojnë këmbën, në gjaknxehtësi e i inatosur kthehesh dhe kafshon këmbën e qenit!”

Uroj që koha të dëshmojë se unë po gaboj në ato çka shkruaj, dhe lideri i PD-së Lulzim Basha të ketë vepruar drejt me përzgjedhjen e listës për deputetë.

Por nëse kjo racë politikanësh do të vazhdojë të ndjekë këtë logjikë, atëherë mua si qytetar i këtij vendi më lind e drejta të bëj një kërkesë: Z. Basha, “lidheni” Murrizin tuaj se po na kafshon!

Mos Humbisni:
Veliaj: Mbajmë premtimin për një Tiranë dikur të lënë pasdore, sot më dinjitoze!

Close