LAJMI I FUNDIT
Home . Qytetari Digjital . Dosja X . Zbardhet dosja e Dashamir Xhikës! Gjyqtarja Olldashi argumenton 6 shkeljet, që shkaktuan dëm prej 37 milionë USD

Zbardhet dosja e Dashamir Xhikës! Gjyqtarja Olldashi argumenton 6 shkeljet, që shkaktuan dëm prej 37 milionë USD

“Panorama” zbardh vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për ishkreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe dy ishdrejtuesit e Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë- Elbasan, Aksel Qurduka dhe Albens Alite.

Në vendimin e dhënë nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, argumentohen edhe faktet e Prokurorisë për tre ish-zyrtarët, që akuzohen për shpërdorim detyre. Dëmi i vlerë- suar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për abuzimet me ndërtimin e rrugës Tiranë- Elbasan kap shifrën e 37 milionë dollarëve. Këto para, sipas vendimit të Gjykatës, janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga këta persona dhe të tjerë që janë nën hetim.

Tre ish-zyrtarët kanë bërë disa amendime të kontratave për ndërtimin e rrugëve, duke sjellë shtyrjen e afateve të tyre dhe për pasojë edhe dëme. Gjithashtu, Prokuroria evidenton si një shkelje të rëndë, edhe kryerjen e punimeve nga firmat e ndryshme, duke mos pasur më parë një burim financiar. Kjo shkelje është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të Dashamir Xhikës, ku në një moment të dytë, është bërë likuidimi i firmave për punime të kryera më parë. Ligji e ka të përcaktuar qartë se punimet kryhen pas lëvrimit të fondeve dhe jo para tyre. Vendimi i Gjykatës konstaton se Xhika ka shmangur edhe Bordin Drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Një tjetër shkelje është edhe situata e krijuar pas rrëshqitjeve të dherave në vitin 2014. Për këtë situatë, ka pasur vonesa në vendimmarrje për zgjidhjen teknike të problematikës nga Këshilli Teknik i ARRSH-së. Por pavarësisht këtyre shkeljeve të konstatuara, si nga auditi i Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, ashtu edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dy prej ish-zyrtarëve, Qurduka dhe Alite, i kanë mohuar akuzat në seancën e marrjes në pyetje. Tashmë mbetet që të merret në pyetje edhe Xhika, që po hetohet edhe në Elbasan, për një tjetër abuzim me rrugët. DOSJA Ajo që Gjykata konkludon është se shkeljet e detyrës së rregullt, të personave nën hetim, Dashamir Xhika, Aksel Qurduka dhe Albens Alite, janë disa, kanë brenda tyre së pari, shkelje të ligjit të krijimit dhe funksionimit të autoritetit që i përkasin dhe së dyti, kanë sjellë pasoja të rënda ekonomike të interesave shtetërore, të cilat kanë efekt më të madh, duke pasur parasysh se këto vlera monetare që kanë pësuar rritje galopante, në çdo ndryshim (amendament) kontrate, janë burime financiare të huaja (në formën e borxhit që kanë pasoja jo vetëm momentale, por afatgjata për interesat e shtetit dhe qytetarëve të tij), duke i bërë këto veprime dhe mosveprime të tyre penalisht të dënueshme. Kjo Gjykatë, mbi të dhënat e akteve provuese, konfirmon si të faktuara disa nga shkeljet e evidentuara nga grupi i auditit si:

1-Nga ish-drejtuesi i ARRSH-së, Dashamir Xhika dhe drejtori i NJMP, Albens Alite, është nënshkruar amendimi i kontratës së punimeve, në kundërshtim me pikën 8.2 të Rregullores së Brendshme të ARRSH, pasi ky urdhër ndryshimi përbën plotësime e përmirësime të rëndësishme të projektzbatimit si dhe modifikime e shtesa të rëndësishme (vlera e lartë) të propozuara dhe si i tillë, duhej të miratohej më parë nga Këshilli Teknik dhe Bordi për Menaxhimin e Këtij Projekti.

2-Nënshkrimi i amendamentit VIII të kontratës, për punime të kryera dhe të përfunduara më parë, si dhe të likuiduara para nënshkrimit të amendimit të kontratës, vjen në kundërshtim me parimet e përgjithshme kontraktore, sipas përcaktimeve të Kodit Civil, ku kontrata lidhet për punime të projektuara dhe të preventuara që do të kryhen pas nënshkrimit të kontratës.

3-Nga titullarët e ARRSH-së, Xhika dhe Alite, të këtij projekti, duke qenë në dijeni të vlerave të përafërta të projektit të këtij seksioni, janë mbajtur dy qëndrime të ndryshme për Ministrinë e linjës dhe Bankën Islamike, duke kërkuar fonde shtesë në shuma të ndryshme. Edhe pse Banka Islamike ka dhënë miratimin në parim për vlerën përfundimtare të këtij projekti, nga drejtuesit e ARRSH-së dhe NJMPsë, nuk është vepruar për të argumentuar domosdoshmërinë e plotë të fondeve shtesë.

4-Kërkesa e ARRSH-së, drejtuar Ministrisë së Financave për fonde shtesë në vlerën 35,17 milionë dollarë nuk ka qenë e studiuar dhe e argumentuar me projekte të miratuara. Aksel Qurduka, me shkresën nr. 22 datë 22/ 12/2016, i është drejtuar Drejtorisë së Projekteve në Ministrinë e Transporteve dhe për dijeni, ministrit të Transporteve dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, me të cilën ka kërkuar shtesë fondesh për projektin e segmentit 1, në shumën 14,211,213 dollarë si edhe rialokim fondesh në vlerën 772,753 dollarë, fonde këto të mbetura nga kontrata e punimeve të segmentit 3, për të cilën, nga ana e Ministrisë, nuk është kthyer asnjë përgjigje. Qurduka, përsëri, me shkresën nr. 272, datë 18/ 07/2017, i është drejtuar po Ministrisë së Transporteve, për një shtim fondesh me vlerën 12,650,000 dollarë dhe rialokim fondesh të mbetura nga ky projekt si më sipër, 772,753 dollarë, ku përsëri nuk ka marrë përgjigje. Dy shkresat e mësipërme, për shtesë fondesh, janë nënshkruar nga Qurduka, për dijeni të Xhikës, i cili ka nënshkruar si kërkesën për shtim fondesh drejtuar Ministrisë së Transporteve, ashtu edhe atë drejtuar Bankës Islamike.

5-Në sistemin e ngritur nga ARRSH, ka munguar kontrolli i brendshëm për ndjekjen e ecurisë së projektit dhe për marrjen në analizë të situatave dhe marrjen e masave për zgjidhjen e problemeve si edhe evidentimin e përgjegjësve. Për lidhjen e amendamenteve, nuk është kërkuar asistenca e Avokaturës së Shtetit dhe miratimi i organeve eprore.

6-Evidentohet se kontraktori, është lejuar të paraqesë material të rishikuar më datë 30/06/2017, për periudhën e parë të projektit, material të cilin e ka paraqitur një herë për inxhinierin në datën 11/12/ 2015. Efektet financiare nga shqyrtimi i pretendimeve të kontraktonit, sipas vendimeve të Bordit për Zgjidhjen Miqësore të Mosmarrëveshjeve, në shumën 11,665,552 dollarë për segmentin 3 dhe shumën 25,220,016 dollarë për segmentin 1, në total në vlerën 35,885,568 dollarë, për zgjatjen e afateve të punimeve të projektit për faj të punëdhënësit, përbëjnë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Veshja 8 mijë euro, Saliu mbron nusen!? Por, a paguan taksa Armina?

Close