Kuvendi ka zhbllokuar procesin për të plotësuar 4 vendet vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Në dhjetor iu mbaroi mandati 2 anëtarëve të KLGJ dhe dy të KLP nga radhët pedagogëve që emërohen nga Kuvendi. Po në dhjetor u mblodhën përfaqësuesit e universiteteve dhe miratuan lista me emrat që sipas tyre duhet të shkojnë në KLGJ dhe në KLP.
Kuvendi bllokoi emërimin dhe sipas burimeve vetëm dy ditë më parë është mbyllur procesi i përzgjedhjes së emrave. Sipas ligjit, është Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ai i cili përzgjedh 3 emrat finalë dhe ja dërgon Komisionit të Ligjeve. Gazeta ka siguruar të dyja shkresat që i kanë vajtur komisionit.
Pas verifikimeve, sekretari shprehet se për vendet vakante në KLP, emrat që plotësojnë kushtet janë: Ilir Rusi, Mirela Bogdani dhe Yllka Rupa. Ndërsa sa i takon vendeve në KLGJ, theksohet e emrat që plotësojnë kriteret janë: Ilir Rusi, Orjona Muçollari dhe Yllka Rupa.
Nëse shohim me kujdes, për 4 vende vakante kemi 4 emra të kualifikuar që do të thotë se këta emra shkojnë në KLGJ dhe në KLP pavarësisht se nuk ka konsensus. Ligji përcakton që votimi të bëhet me ¾, por nëse dështon atëherë emrat emërohen automatikisht sipas renditjes.
Por gazeta ka mësuar nga burime në Komisionin e Ligjeve se kjo listë ka shkaktuar pakënaqësi pasi ka shumë emra që kanë pasur vlerësim maksimal nga mbledhja e pedagogëve dhe janë skualifikuar. Sa i takon garës për KLGJ, Ilir Rusi është vlerësuar nga Mbledhja e Drejtuesve të Arsimit të Lartë me 3 pikë, Orjona Muçollari me 3 pikë dhe Yllka Rupa me 1 pikë.
Ndërkohë sa i takon KLP, Ilir Rusi ka marrë zero pikë apo zero vota, Mirela Bogdani 5 pikë dhe Yllka Rupa me 2 pikë. Ndërkohë nëse shohim listën janë skualifkuar: Edri Papajorgji me 12 vota, Saimir Vishaj me 12 vota, apo Indrit Shupi me 6 vota.
Parashikimet ligjore
Sipas ligjit lista pasi shkoi në Komisionin e Ligjeve, pas 10 ditësh duhet të bëhet votimi. Kandidatët duhet të marrin 2/3 e votave dhe pa konsensus duket se do shkohet te 3 raunde votimi dhe në fund ata që marrin më shumë vota do quhen të miratuar.
“Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me dy të tretat e të gjithë anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, nënkomisioni miraton një listë të re, sipas procedurës së parashikuar në pikat 12, 13 dhe 14, të këtij neni, brenda 2 ditëve nga votimi në seancë plenare. Kandidatët e listës së parë nuk përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes në nënkomision në raundin e dytë.
Lista e re i paraqitet Kryetarit të Kuvendit dhe hidhet në votim në seancën më të afërt të Kuvendit, por jo më vonë se 7 ditë nga paraqitja e listës. Kuvendi miraton listën e kandidatëve me dy të tretat e të gjithë anëtarëve.
Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e dytë, nënkomisioni miraton një listë të re… Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e tretë, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur”, thuhet në ligj.