Kreu I PD njëshit Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh drejtësisë që të veprojë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Pas shpalljes “non grata”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se duhet hetim penal ndaj ish-liderit të PD ndërkohë që edhe Basha ka dhënë sinjale se e mbështet një gjë të tillë.
Në një intervistë për DW, i pyetur rreth kësaj çështje Basha u shpreh se ka një grusht njerëzish me pushtet që vazhdojnë të mbeten të pandëshkuar. Kreu demokrat tha se tranzicioni mund të mbyllet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Sipas tij, institucionet e drejtësisë duhet të vendosin para drejtësisë të gjithë politikanët e korruptuar teksa la të nënkuptohej se Berisha duhet të vendoset para drejtësisë. “Nuk më takon mua të bëj gjyqtarin dhe prokurorin. Pres që drejtësia të funksionojë si në çdo vend normal. Kjo nuk është çështje emrash.
Për një kohë shumë të gjatë një grusht njerëzish me pushtet të madh politik ose ekonomik vazhdojnë të mbeten të pandëshkuar. Pandëshkueshmëria është themeli mbi të cilin ngrihet tranzicioni i pafund i Shqipërisë. Një nga faktorët për mbylljen e tranzicionit është dhënia fund e pandëshkueshmërisë.
I takon drejtësisë, institucioneve të pavarura që t’i vendosin para ligjit në mënyrë të barabartë politikanët e korruptuar. Berisha po vë interesat e tij personale mbi ato të demokratëve”, tha Basha.
Basha: Reflektimi thelbësor është ndarja nga e shkuara
Nga ana tjetër kreu demokrat u shpreh se ndarja nga e kaluara është një mundësi shumë e mirë për të përqafuar të ardhmen dhe për ta vendosur fokusin në nisma të tjera të rëndësishme. Basha tha se është prezantuar në Parlament nisma për dekriminalizimin e politikës dhe vetingun e politikanëve.
Lideri i PD tha se vetingu do të detyrojë politikanët të kalojnë në sitën e organeve të drejtësisë. Sipas tij, këto nisma synojnë që ta kthejnë pushtetin në duart e qytetarëve pasi tashmë është në duart e pak personave. “Çdo sfidë sjell me vete edhe një mundësi.
Kjo është një mundësi e madhe për t’u ndarë nga e shkuara dhe përqafuar të ardhmen me të gjitha premtimet që ajo sjell. Kemi mbështetur prej fillimit një drejtësi që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar.
Kemi prezantuar në parlament nismën për dekriminalizimin e politikës, vetingun e politikanëve, që do të detyrojë politikanët e nivelit të lartë të kalojnë në sitën e organeve të drejtësisë, reformën në sistemin zgjedhor dhe atë territoriale që synojnë t‘ia kthejnë pushtetin qytetarëve, pasi ai është i përqendruar në duar të pak njerëzve”, deklaroi kreu demokrat.
I pyetur se si ka reflektuar për pozicionin e tanishëm si kundërshtar të Berishës, Basha tha se reflektimi më thelbësor është ndarja nga e shkuara dhe premtimi drejt një të ardhmeje më të mirë për demokratët dhe shqiptarët. “Reflektimi thelbësor është ndarja nga e shkuara, pa asnjë kompleks, premtimi për një të ardhme më të mirë për të gjithë demokratët dhe shqiptarët”, u shpreh lideri i PD.