Qëndrimi i anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci ka qenë vendimtar vetëm në 6 çështje gjyqësore. Së fundmi, ai është pezulluar për shkak të mashtrimit me dokumentacionin dhe nuk ka ende një vendim se çfarë do të ndodhë me çështjet ku ai ka qenë pjesë e trupës gjyqësore.
Ka shumë nga ata që mendojnë se vendimet duhet të zhbëhen, por nëse ndodh një gjë e tillë duket se preken vetëm 6 raste. Luan Daci ka qenë pjesë e trupës në 38 vendime, por vetëm në 6 prej tyre gjyqtarët janë ndarë 3 me 2, ku qëndrimi i Dacit ka qenë vendimtar. Çështjet në fjalë janë Adriatik Llalla; Besim Trezhnjeva, Fatmir Hoxha, Alma Brati, Nertina Kosova dhe Artur Selmani. Por rasti më interesant është për ish-Kryeprokurorin Llalla. Ky i fundit, pasi i mbaroi mandati dha dorëheqjen, duke kërkuar edhe ndërprerjen e procesit të vetingut për të. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e pranoi kërkesën e tij, por Komisioneri Publik e ankimoi këtë vendim në KPA. Trupa gjykuese për shqyrtimin e kësaj çështje ka qenë Sokol Çomo, Luan Daci, Albana Shtylla,
Ardian Hajdari dhe Ina Rama. Dy prej anëtarëve ishin me mendim pakice, të cilët ishin Albana Shtylla dhe Sokol Çomo, të cilët u shprehën se Llalla duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut. Ndërsa vota e Dacit ishte vendimtare për të formuar shumicën dhe për të ndërprerë procesin e rivlerësimit për ish-Kryeprokurorin. Por nëse vendimet që janë marrë nga Luan Daci do zhbëhen dhe nëse anëtari që do vijë në vend të tij do të ndryshojë vendimin, Adriatik Llalla rrezikon që t’i nënshtrohet procesit të vetingut dhe hetimit të thelluar në 3 kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionit.
Ja çështjet e tjera
Ndërkohë që firma e anëtarit të KPA, Luan Daci ka qenë vendimtare edhe për 5 çështje të tjera. Për ish-gjyqtarin e Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva vota e Dacit ka qenë vendimtare për të lënë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e tij nga detyra. Trupa gjykuese ishte e përbërë nga Ardian Hajdari, Luan Daci i cili ishte edhe relatori i çështjes dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, të cilët edhe për këtë rast ishin të ndarë në mendim pakice për të lënë në detyrë ish-gjyqtarin e Apelit Durrës dhe në mendim paralel për të lënë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e tij nga detyra. Por precedenti “Daci” vulosi shkarkimin e Trezhnjevës nga detyra duke e lënë për 15 vjet jashtë sistemit të drejtësisë.
Një tjetër çështje ku firma e Luan Dacit ka qenë vendimtare ishte edhe për çështjen e për shkarkimin nga detyra për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha. Ky i fundit pas shkarkimit nga KPK e apeloi vendimin në KPA, ku pas shqyrtimit nga trupa gjykuese Albana Shtylla, Ina Rama, Luan Daci, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz u vendos që të lihet në fuqi vendimi i KPK. Edhe për këtë çështje, ka pasur ndarje në mendim paralel dhe mendim pakice nga trupa gjykuese, por vendimi i Dacit solli shkarkimin e Fatmir Hoxhës nga detyra.
Por firma e tij ka qenë vendimtare edhe për 3 çështje të tjera, pavarësisht ndarjes së trupës gjykuese. Ish-gjyqtarja e Tiranës Alma Brati, ish-gjyqtarja e Apelit të Krimeve të Rënda, Nertina Kosova dhe prokurori Artur Selmani kanë ngelur jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vjet pas vendimit përfundimtar të Luan Dacit. /Sot/ NGA ELISJEDA KIKO